Drejtoria e Përgjithshme Detare mori pjesë në takimin përmbyllës të projektit ZERO-C, të zhvilluar më 1–2 tetor 2026, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Takimi mblodhi partnerët e projektit për të prezantuar arritjet, për të vlerësuar rezultatet dhe për të diskutuar vijimin e bashkëpunimit pas përfundimit të tij.

Gjatë ditës së parë u prezantuan rezultatet në menaxhimin e projektit, sigurimin e cilësisë, zhvillimin e kurrikulave dhe përhapjen e rezultateve. Diskutimet theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë, institucioneve dhe industrisë detare, si dhe zhvillimin e njohurive dhe aftësive që mbështesin tranzicionin e gjelbër në sektorin detar.

Dita e dytë iu kushtua raportimit përfundimtar, diskutimeve mbi buxhetin dhe vlerësimit të rezultateve të projektit. Pas përfundimit të takimit të ditës së dytë, partnerët zhvilluan një vizitë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme Detare. Vizita shërbeu si një mundësi për t’u njohur më nga afër me veprimtarinë e institucionit dhe për të shkëmbyer përvoja mbi çështje të sektorit detar.