Më 17 korrik 2026, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme Detare, u zhvillua Dita Informuese e projektit GREENROUTES – “Green Corridors for Carbon-Neutral Cruise and Ferry Shipping in the ADRION Region”, i financuar nga Programi Interreg IPA ADRION.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të administratës detare, strukturave portuale, operatorëve, ekspertëve të mjedisit, komunitetit akademik dhe palëve të tjera të interesuara. Gjatë takimit u prezantuan objektivat dhe rezultatet e projektit, studimi paraprak i fizibilitetit për korridorin e gjelbër Durrës–Bari, analiza e të dhënave operative të tragetit AF MIA, si dhe vlerësimi i emetimeve të ndotësve të ajrit nga anijet gjatë qëndrimit në kalatë dhe manovrimit në Portin e Durrësit.

Diskutimet u përqendruan te monitorimi i konsumit të karburantit, llogaritja e gjurmës së karbonit, përdorimi i karburanteve alternative, mundësia e furnizimit të anijeve me energji elektrike nga bregu dhe nevoja për bashkëpunim ndërmjet porteve, operatorëve dhe autoriteteve publike.

Dita Informuese kontribuoi në promovimin e rezultateve të GREENROUTES dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për një transport detar më të pastër, më efikas dhe më të qëndrueshëm në rajonin Adriatiko–Jonian. Projekti synon zhvillimin e korridoreve të gjelbra detare, përdorimin e karburanteve alternative dhe përmirësimin e infrastrukturës portuale.