Nga 29 qershori deri më 3 korrik 2026, në Qendrën Teknike të Testimit të Artilerisë në Stara Zagora, Bullgari, u zhvillua java e testimeve operacionale të projektit evropian BorderForce, e organizuar nga AFCEA-BG. BorderForce është një projekt i financuar nga programi Horizon Europe, me numër 101168316, që synon zhvillimin e një sistemi fleksibël për rritjen e mbikëqyrjes kufitare dhe ndërgjegjësimit situacional në kohë reale.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, në cilësinë e partnerit dhe përdoruesit fundor(end –user) të projektit. Programi përfshiu instalimin dhe testimin e pajisjeve, integrimin e komponentëve teknologjikë, testimin e sistemeve përmes skenarëve operacionalë PUC, demonstrime për përdoruesit fundorë dhe diskutime mbi hapat e ardhshëm të projektit.

Dita e posaçme me pjesëmarrjen e përdoruesve fundorë (end-user) u fokusua në demonstrimin e teknologjive të zhvilluara, zhvillimin e skenarëve të testimit dhe vlerësimin e zgjidhjeve që do të përdoren në demonstrimet e ardhshme kufitare. Aktiviteti përfundoi me një workshop përmbledhës dhe vendimmarrje mbi fazat e mëtejshme të testimeve.

Pjesëmarrja në këto testime i mundësoi Drejtorisë së Përgjithshme Detare të kontribuojë në vlerësimin praktik të teknologjive, të shkëmbejë përvojë me partnerët ndërkombëtarë dhe të forcojë kapacitetet institucionale në fushën e mbikëqyrjes, sigurisë kufitare dhe ndërgjegjësimit situacional. Drejtoria e Përgjithshme Detare është partner zyrtar shqiptar në projektin BorderForce, i cili zbatohet nga 1 nëntori 2024 deri më 30 prill 2027.