Drejtoria e Përgjithshme Detare
Drejtoria e Përgjithshme Detare, ushtron funksionet në mbështetje të Ligjit Nr. 9251, datë 08.07.2004 “Kodi Detar i Republikës se Shqipërisë”, Ligji Nr. 10109, datë 02.04.2009 “Për Administratën Detare të Republikës së Shqipërisë”.
Drejtoria e Përgjithshme Detare drejton dhe organizon veprimtarinë e strukturave përbërëse të administratës detare, në zbatim të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar për fushën e detarisë, të ratifikuar me ligj nga Republika e Shqipërisë.

Detyrimet dhe të drejtat e Drejtorisë së Përgjithshme Detare

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka detyrimet dhe të drejtat e mëposhtme:

a) drejton e bashkërendon veprimtarinë e strukturave përbërëse të administratës detare;

b) ushtron kontroll për mbarëvajtjen e punës dhe kryerjen e detyrave mbi të gjitha strukturat përbërëse të administratës detare;

c) kontrollon zbatimin e rregullave të përgjithshme, kombëtare dhe ndërkombëtare, të detarisë nga të gjitha subjektet private dhe shtetërore, të regjistruara si të tilla, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e detarisë dhe janë të lejuara, sipas ligjit, nga ministria;

ç) jep asistencë teknike në hartimin dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar detar me legjislacionin ndërkombëtar. Bën plotësimin e kuadrit ligjor kombëtar për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që lidhen me të drejtën e detit dhe transportin detar, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë;

d) përfaqëson Republikën e Shqipërisë për çështjet detare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO), në Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe në organizatat e tjera, ku Republika e Shqipërisë është palë;

dh) bashkëpunon me të gjitha institucionet e tjera, që kanë lidhje me veprimtarinë e fushës së detarisë, si me Rojën Bregdetare, me strukturat e Policisë Kufitare, me agjencitë doganore, me agjencitë mjedisore, me Shërbimin Hidrografik dhe me shoqatat e operatorëve privatë;

e) shkëmben të dhënat e nevojshme për disiplinimin e trafikut detar, rritjen e kushteve të sigurisë së lundrimit dhe të standardeve të sigurisë portuale;

ë) ngre grupet e ekspertëve për kryerjen e hetimeve për incidentet dhe aksidentet detare, përplasjet e anijeve, zjarreve në anije, daljes në tokë, piraterisë, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve detare, të parashikuara në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë, si dhe merr masat e nevojshme për parandalimin e shmangien e tyre;

f) jep asistencë teknike në hartimin e akteve nënligjore dhe marrjen e masave përkatëse për heqjen e mbetjeve të ngurta, të lëngëta dhe relikeve detare, nëpërmjet strukturave përbërëse të administratës detare;

g) drejton, organizon dhe kontrollon trajnimet për kualifikimin e oficerëve dhe të detarëve të Republikës së Shqipërisë, të pilotëve, agjentëve, operatorëve portualë, që veprojnë në fushën e detarisë, për lëshimin e certifikatave përkatëse të nevojshme, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe me konventat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;

gj) ndjek dhe realizon veprimtaritë e transportit detar, në bazë të programit të qeverisë, të Planit Kombëtar të Transportit, masterplaneve dhe strategjisë së zhvillimit të sektorit detar;

h) monitoron zhvillimin e porteve detare, në bazë të studimeve, masterplaneve, projekteve, në harmoni me Planin Kombëtar të Transportit.