Një nga detyrimet kryesore të legjislacionit në fushën e detarisë nuk konsiston vetëm në përafrimin e tij me acquis-in e Bashkimit Evropian, por edhe në implementimin praktik dhe ngritjen e sistemeve funksionale që garantojnë zbatimin efektiv të këtij legjislacioni. Një nga këto sisteme kyçe është Maritime Single Window (MSW), i cili synon thjeshtimin, dixhitalizimin dhe standardizimin e shkëmbimit të informacionit detar ndërmjet autoriteteve publike dhe operatorëve ekonomikë.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme Detare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, e cila do të jetë edhe financuesja e ngritjes së këtij sistemi, organizoi më datat 20 dhe 21 janar 2026, në ambientet e saj në Durrës, workshop-in me temë “Stakeholder Workshop: Advancing the Maritime Single Window (MSW) in Albania”, në kuadër të aktiviteteve përgatitore për projektin “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Program 2.0 (TTFP 2.0)”.

Workshop-i mblodhi përfaqësues nga një sërë institucionesh kyçe, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), Autoritetin Portual, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Qendrën Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) etj, si dhe operatorë dhe përfaqësues të agjencive të ndryshme që operojnë në fushën detarise.

Diskutimet u fokusuan në aspektet rregullatore, organizative dhe operative të zbatimit të MSW. Ky workshop përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës detare, rritjes së transparencës dhe eficiencës së shërbimeve, si dhe forcimit të lehtësimit të tregtisë dhe transportit detar në Shqipëri.