Më datë 18 Shkurt 2026, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme Detare u zhvilluan dy takime informuese me subjektet e interesuara në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Europian dhe vijimit të procedurave për miratimin e akteve nënligjore përkatëse.
Gjatë takimeve u prezantuan:
• Draft-VKM-ja “Port Reception Facility”, e cila rregullon infrastrukturën portuale për pranimin, grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve të gjeneruara nga anijet, si dhe përcakton detyrimet për autoritetet portuale dhe operatorët përkatës;
• Draft-Rregullorja “Për monitorimin, raportimin dhe verifikimin (MRV) të shkarkimeve të gazeve serrë nga transporti detar”, me fokus në harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe detyrimet për kompanitë detare lidhur me monitorimin e konsumit të karburantit, raportimin e të dhënave dhe procesin e verifikimit.
Në takim u prezantua kuadri ligjor përkatës, detyrimet që rrjedhin për subjektet e përfshira, procedurat e monitorimit dhe raportimit, mekanizmat e verifikimit dhe kontrollit, si dhe afatet e zbatimit.
Takimet u zhvilluan në frymë bashkëpunimi dhe transparence. Përfaqësuesit e subjekteve ngritën çështje të natyrës teknike dhe procedurale, paraqitën komente dhe sugjerime konkrete mbi zbatimin praktik të akteve të propozuara, të cilat do të merren në konsideratë në fazën përfundimtare të rishikimit.
Komentet dhe sugjerimet nga palët e interesuar do të shqyrtohen në kuadër të përmirësimit të draft-akteve para miratimit përfundimtar. Drejtoria e Përgjithshme Detare mbetet e angazhuar për garantimin e një procesi konsultimi transparent, forcimin e mbrojtjes së mjedisit detar dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian në sektorin detar.