Drejtoria e Përgjithshme Detare

Drejtoria e Përgjithshme Detare informon të gjitha subjektet e interesuara, qendrat e trajnimit detar dhe detarët se, në kuadër të zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për Standardet e Trajnimit, Certifikimit dhe Ruajtjes së Orës së Shërbimit të Detarëve (STCW), janë miratuar amendamente të reja në Kodin STCW, sipas Rezolutës MSC.560(108).

Këto amendamente sjellin ndryshime përmbajtësore në trajnimin bazik STCW, konkretisht në kursin Siguria Personale dhe Përgjegjësitë Sociale (Personal Safety and Social Responsibilities – PSSR), i cili është pjesë e detyrueshme e trajnimit bazik për të gjithë detarët.

Thelbi i ndryshimeve

Ndryshimi kryesor lidhet me përditësimin e Seksionit A-VI/1 të Kodit STCW, përmes zëvendësimit të Tabelës A-VI/1-4, duke futur një kompetencë të re të detyrueshme që adreson aspektet e sigurisë sociale dhe marrëdhënieve njerëzore në bord.

Në mënyrë specifike, trajnimi PSSR tashmë përfshin:

  • parandalimin e dhunës dhe ngacmimeve në mjedisin detar;
  • identifikimin e sjelljeve të papranueshme, përfshirë ngacmimet seksuale, bullizmin dhe sulmet seksuale;
  • reagimin dhe raportimin sipas procedurave përkatëse;
  • kuptimin e ndikimit të këtyre fenomeneve në sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e ekuipazhit.

Ky përditësim synon të forcojë kulturën e sigurisë, respektit dhe profesionalizmit në bord, duke e konsideruar sigurinë sociale si pjesë integrale të sigurisë detare.

Implikimet për qendrat e trajnimit

Si pasojë e këtyre ndryshimeve:

  • kurrikulat e kursit PSSR duhet të përditësohen për të reflektuar kompetencat e reja;
  • procesi i trajnimit dhe vlerësimit duhet të zhvillohet në përputhje me kërkesat e Kodit STCW të amenduar;
  • certifikatat e trajnimit duhet të pasqyrojnë referencën përkatëse të Kodit STCW të përditësuar.

Informacion për detarët

Ndryshimet e mësipërme lidhen me përmbajtjen dhe kompetencat e trajnimit dhe nuk cenojnë vlefshmërinë e certifikatave ekzistuese të trajnimit bazik STCW. Trajnimi sipas kërkesave të reja do të reflektohet në përmbajtjen e trajnimeve dhe certifikatave përkatëse, në përputhje me procedurat në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme Detare do të vijojë të informojë subjektet e interesuara për çdo udhëzim shtesë në lidhje me zbatimin e këtyre amendamenteve dhe do të ndjekë nga afër përputhshmërinë e sistemit të trajnimit detar me standardet ndërkombëtare.