Anijet nën Flamurin Shqiptar Kalojnë në Listën e Gri të Memorandumit të Parisit

Flamuri Shqiptar është zyrtarisht në listën gri të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit, një arritje që përfaqëson përmirësimin e cilësisë së flotës detare të Shqipërisë. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, z. Tomor Harizi, njoftoi se, pas një pune të gjatë dhe përkushtimi, flota shqiptare kaloi në listën gri për herë të parë pas një periudhe trevjeçare përmirësimesh dhe inspektimesh të rregullta në portet e Bashkimit Evropian

Kjo arritje redukton ndjeshëm kostot dhe shpeshtësinë e inspektimeve për pronarët e anijeve shqiptare, të cilët tani përfitojnë nga inspektime më të rralla, duke kursyer kohë dhe shpenzime. Ky përmirësim është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së reputacionit të flamurit shqiptar në nivel ndërkombëtar dhe një nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë detare shqiptare.